Secondary Adv

Shqipëria hap të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian

Shqipëria dhe Bashkimi Evropian do të mbajnë sot në Bruksel Konferencën e 7-të Ndërqeveritare.

Shqipëria ka hapur sot në Bruksel grup-kapitullin e fundit të negociatave me Bashkimin Evropian, duke përmbyllur procesin e hapjes së të gjitha fushave të negociimit në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE.

 

Konferenca e 7-të Ndërqeveritare në Bruksel

Konferenca e 7-të Ndërqeveritare ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian shënon një moment historik në procesin e integrimit, pasi hap diskutimin mbi grup-kapitullin 5 “Burimet, bujqësia dhe kohezioni”. Kjo përfshin kapitujt 11 (bujqësia dhe zhvillimi rural), 12 (siguria ushqimore, veterinaria dhe fitosanitaria), 13 (peshkimi dhe akuakultura), 22 (politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore) dhe 33 (dispozitat financiare dhe buxhetore).

 

Me hapjen e këtij grup-kapitulli, Shqipëria zyrtarisht ka çelur të gjitha kapitujt e negociatave me BE-në, duke hyrë në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit.

 

Mesazhet nga Brukseli: “Shqipëria po jep rezultate”

Gjatë ceremonisë së mbajtur në godinën e re të Misionit të Shqipërisë pranë BE-së, ambasadori Ferit Hoxha theksoi se “Shqipëria nuk e ka humbur kurrë besimin tek Europa”, ndërsa falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që BE i ka dhënë vendit. Ai theksoi se qeveria shqiptare është e përkushtuar ndaj axhendës evropiane dhe e gatshme të përshpejtojë proceset e reformave.

 

Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, vlerësoi përparimin e bërë nga Shqipëria, duke theksuar se “nuk ka proces anëtarësimi pa udhëheqje të përkushtuar”. “Ju po jepni rezultate dhe po realizoni premtimet. Kjo është shtëpia juaj e re”, deklaroi Kos, duke e cilësuar kryeministrin Edi Rama si një lider që sheh drejt së ardhmes dhe jo të shkuarës.

 

Rama: Nga “shi dhe ftohtësi” në energji pozitive

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij, vlerësoi ndryshimin e klimës politike dhe institucionale që shoqëron sot marrëdhëniet Shqipëri–BE. “Dikur, kur vinim në Bruksel, binte shi e bënte ftohtë jashtë dhe brenda. Tashmë është ndryshe — plot energji pozitive, fytyra miqësore dhe buzëqeshje. Është e jashtëzakonshme të përjetosh këtë atmosferë të re që po bëhet e përhershme”, tha Rama, duke falënderuar përfaqësuesit e institucioneve evropiane për mbështetjen ndaj vendit.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat